Albulena Haxhiu flet për refuzimin e ftesës nga Thaçi e Veseli

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka komentuar refuzimin e ftesës për takim nga ish-presidenti i Kosovës, Haxhim Thaçi dhe ish-kryekuvendari, Kadri Veseli në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Haxhiu tha se nuk është duke e menduar këtë çësbtje. Derisa shtoi se, arsyen e refuzimit të ftesës duhet ta bëjnë vetë Thaçi dhe Veseli.

‘’Nuk mund t’i di, as nuk mund të paragjykoj. Me të thënë të drejtën as nuk jam duke e menduar se pse nuk i kanë pranuar institucionet. Është në vullnetin e tyre dhe le ta bëjnë publik ata qëndrimin kurdo që e bëjnë’’, u shpreh ministrja në një intervistë për transmetuesin publik.

Ndër tjerash, ajo tha se nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Thaçit dhe Veselit.

”Dallimet e mëdha që i kemi politike me PDK-në, qëndrojnë. Unë kam bërë kërkesë sepse e kam obligim, ato qëndrojnë mirëpo nuk e kam ndërmend ato dallime që i kemi t’I vazhdoj me këta (Thaçin dhe Veselin). Sepse nuk do të ishte fer me u marrë me dikënd që po përballet me një sistuatë të vështirë’’, përfundoi ministrja e Drejtësisë. Albulena Haxhiu.

Haxhiu, Thaçi dhe Veseli kanë pasur përplasja të shumta gjatë kohës sa Lëvizja Vetëvendosje ka qenë në opozitë.

“As s’më intereson nëse Kadri Veseli kërkon falje. S’e ndryshon Veselin kërkim falja ndaj meje. Unë s’mundem me e quajt me ndonjë emër tjetër, se ai për mua është kriminel” – ishte shprehur Haxhiu në një intervistë në vitin 2015-të.

Theksojmë se ministrja e Drejtësië, më 30 dhe 31 mars ka zhvilluar një vizitë në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ajo ka takuar Jakup Krasniqin, Pjetër Shalën, Rexhep Selimin, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn.

Ftesën e kishin refuzuar Thaçi dhe Veseli ndërsa Salih Mustafës, gjykata nuk ia kishte mundësuar takimin me Haxhiun.