Albulena Haxhiu thotë se Astrit Dehari është vrarë, përmend një deklaratë të Kadri Veselit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk ka dyshim që në Rastin Dehari bëhet fjalë për vrasje.

Ajo thotë se janë rishikuar të gjitha të dhënat prej fillimit të rastit deri më tani dhe tregon se nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me këtë rast.

“Patjetër që po(është vrasje). Në qoftë se e vlerësoni rastin prej dje, janë kthyer të të gjitha prej fillimit. Prej raportit zviceran. Prej raporteve të dy ekspertëve të cilët ishin kërcënuar nga ish-ministrja Hoxha. Ata ndihen të rrezikuar të vijnë në Kosovë për shkak të atyre kërcënimeve. Prej atyre që ndodhen pas rastit. Vdekja e dëshmitarit kryesor. Janë të shumta elementet që të qojnë se Astriti është vrarë”, tha ajo.

Ajo tutje shton se Dehari është mbajtur në burg pa akuza dhe pa arsye. Ajo ia lë fajin shtetit për mënyrën se si e ka trajtuar rastin.

Haxhiu përmend edhe një deklaratë të ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ku iu drejtohej deputetëve të VV-së.

“Ka pasur përpjekje të vazhdueshme që përmes arrestimeve të ndryshme të aktivistëve të VV-së, të cilat ua mveshnin sulmet që u bëheshin institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse siç e dini Astrit ishte arrestuar për këtë”, thotë ajo.

“Ka shumë deklarata edhe para se të ndodhte rasti Dehari. Kur pati deklarata nga ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kur na tha rujuni ‘se pe vrani vetin’. Arrestimet që ndodhën. Prokuroria duhet të merret me këto. Po e them edhe një herë. Ka qenë rasti më i rëndë pas luftës. Një aktivist është marrë në burg për ditë të tëra pa prova dhe nuk del i gjallë nga aty. Prandaj është dashur të ketë përpjekje maksimale prej fillimit. Jo të dëmtohen provat. Të merren parasysh raportet. Duhet të publikohen. Sepse publikut i intereson të dijë çfarë ka ndodhur aty. Po e them edhe një herë. Nesër në ora 10 do të dalim me komunikatë”, përfundoi ajo.