Çfarë ka thënë Viktor Orban për problemin Kosovë-Serbi, Edi Rama citon fjalët e tij

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet që të gjejnë paqen dhe të pranojnë realitetin se të dyja s’mund të ikin nga territoret ku janë. Ai thotë se kjo paqe duhet arritur përmes dialogut, derisa shtoi se këtë gjë e thonë edhe vetë “shpëtimtarët e Kosovës”.

Rama tha se ngjarjet në Ukrainë duhet të shërbejnë si nxitëse për të shtuar përpjekjet për arritjen e paqes.

“Ajo që po ndodhë në Ukrainë s’është arsye më shumë për të menduar se mund të kemi një Ukrainë të dytë në Ballkan. Por, një arsye më shumë për të intensifikuar përpjekjet për paqen përfundimtare në Ballkan. E tha komisioneri, e thonë të gjithë se nuk ka asnjë rrugë tjetër. As Serbia as Kosova nuk do të ikin në ndonjë vend tjetër. Kosova është një realitet që është aty dhe s’e ndryshon dot askush, Serbia po ashtu. Dhe është në interesin e të dyja palëve të bëjnë paqe përfundimtare – s’diskutohet”.

Në konferencën e përbashkët për media që pati me komisionerin e BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, Rama tha se qasjet e të gjitha e kancelarive europiane, bashkë edhe më atë të Shtëpisë së Bardhë, janë pro dialogut Kosovë-Serbi, raporton Gazeta Express.

“S’e kam gjetur një që thotë se Kosova s’duhet ulur në dialog me Serbinë. Këta nuk janë njerëz që janë pro serbë apo antikosovarë, por për të qenë shumë të qartë, janë njerëz që përfaqësojnë shpëtimtarët e Kosovës. Kosova s’do të ishte e pavarur pa ta, me gjithë respektin për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Rama citoi edhe një “mik të përbashkët” të shqiptarëve dhe serbëve për të përshkruar problemin mes të dyja palëve.

“Për të cituar një mik të madh të shqiptarëve, por që është edhe mik i Serbisë, kryeministrin Orban: ky proces kërkon durim strategjik – dhe ky s’është virtyt i shqiptarëve dhe i as ballkanikëve”.

Derisa për nismën e Ballkanit të Hapur, Rama tha se do ta ftojnë sërish Malin e Zi me zgjedhjen e pushtetit të ri atje. Këtu, ai tha se për herë të parë tri nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të udhëhiqen nga tre shqiptarë.