Dashnorja e Putinit do të shpallë fitoren mbi Ukrainën më 9 maj?

Alina Kabaeva, gjimnastja e njohur gjerësisht si dashnorja e Vladimir Putinit, pritet të shpallë fitoren ndaj Ukrainës.

Prej ditësh spekulohet se me datë 9 maj, kur festohet fitorja mbi nazizmin, Vladimir Putin do të shpallë edhe suksesin e operacionit për ‘denazifikimin’ e Ukrainës.

Gjimnastja olimpike ruse është rishfaqur së fundmi në publik.

Alina Kabaeva, 38 vjeç, mori pjesë në Festivalin e Alinës në Moskë, pas spekulimeve se ajo fshihej në një vilë në Zvicër. Kjo ishte një shfaqje e rrallë për gruan që mendohet se ka katër fëmijë me despotin rus.

Në festivalin e saj, Alina u shfaq me simbolin famëkeq rus Z. Gjatë festimeve u kënduan këngë patriotike sovjetike dhe u shpreh mbështetja për ‘operacionin special ushtarak’ të Putinit në Ukrainë.

I gjithë festivali do transmetohet më 9 maj, kur do kremtohet fitorja mbi nazizmin. Vetë Alina e krahasoi situatën në Ukrainë me fitoren mbi nazizmin.

“Kjo temë, kjo histori, nuk shkon vetëm në të shkuarën. Ajo mbetet me ne,” tha ajo.

“Kjo festë nuk është vetëm për gjithë vendin, ajo është një ditë e madhe për çdo familje. Secila familje ka një histori lufte dhe ne nuk duhet ta harrojmë kurrë, por duhet ta përcjellim brez pas brezi”.

Ndërkohë mediat amerikane dhe britanike raportojnë se SHBA kishte në plan që të vendoste sanksione mbi dashnoren e Putinit. Por plani për të sanksionuar Alina Kabaeva dështoi pasi autoritetet druheshin se Putini do e shihte këtë si një sulm personal.

Departamenti i Thesarit kishte përgatitur sanksionet ndaj saj, por u tërhoq në minutat e fundit nga frika se kjo gjë do përshkallëzonte tensionet me Rusinë.

Moska nuk e ka pranuar kurrë që ka një marrëdhënie mes Putinit dhe Kabaevas. Edhe kjo e fundit e mohon.