Diaspora Shqiptare në Londër mbështet kandidaturen e Dritan Demiraj për President të Shqipërisë

Pas “Vatrës” në Amerikë edhe shqiptarët në Britani po mbështesim kandidaturën e z.Dritan Demiraj, për postin e Presidentit të Republikës. Shoqata dhe individë të spikatur të komunitetit, kanë shprehur mbështetjen e tyre për këtë kandidaturë. Janë mëse të qarta arsyet se pse zoti Demiraj mbetet kandidat i preferuar, që biografia e tij e deri tek vleresimet e pafundme që ka marrë, si dhe angazhimi i tij profesional dhe intelektual.

Dritan Demiraj është nga ata intelektualë që bejnë krenar çdo shqiptar.

Mbase diaspora dëshiron të kalojë muret politike dhe “posti mbi palët” nuk mund të mbyllet vetëm brenda skemave të zakonshme partiake.

Shtetin nuk e përbëjnë vetëm partitë politike. E përbën edhe ushtria, bota e artit, komunitetet fetare, profesionet, shërbyesit publikë dhe shumë shtylla apo segmente të tjera. Shteti është kompozim i të gjitha këtyre segmenteve dhe partitë politike janë pa dyshim pjesë e këtij kompozimi.

Dritan Demiraj i ka shërbyer shtetit në të gjitha drejtimet, duke u dekoruar edhe me medalje të larta brenda dhe jashtë vendit. Ai ka nderuar emrin e Shqipërisë gjatë gjithë karrierës së tij ushtarake dhe civile. Demiraj shkakton besim dhe siguri se do t’i shërbejë shtetit edhe në vazhdim, jo në luftë e organizim ushtarak por në staturë dhe në përfaqësim dinjitoz. Shteti shqiptar ka nevojë për përfaqësim dinjitoz si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Nëse në botën e komandës civile mbi ushtrinë, preferohet një civil dhe jo një ushtarak, së pari duhet kujtuar se Shqipëria e provoi presidentin ushtarak nga viti 2002 deri në vitin 2007, me Alfred Moisiun. Nuk doli keq. Vendet e tjera serioze dhe të konsoliduara si për shembull Shtetet e Bashkuara e kanë zgjedhur shpesh presidentin ushtarak. Kjo pasi të jesh ushtarak quhet nder.

A do të dijë edhe Shqipëria, klasa politike e Shqipërisë të çmojë shërbimin ndaj shtetit dhe ta shpërblejë atë? Do të ishte në nderin e saj nëse do të arrinte t’i jepte shtetit një përfaqësim të tillë dinjitoz. Detyra e partive politike dhe deputetëve të parlamentit është t’i japin shtetit një president që e nderon shtetin dhe është në lartësinë e shtetit.

Kandidatura e Dritan Demirajt si President i Republikës është garanci e përmbushjes e kësaj detyre kushtetuese dhe kombëtare.