Drejtori i PDK’së në komunën që udhëhiqet nga VV s’e përfill Osmanin, mban foton e Thaçit

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, po e mban në zyrën e tij të komunës fotografinë e ish-shefit të tij Hashim Thaçi por jo edhe të presidentes Vjosa Osmani. Rashiti thotë se i mjafton fotografia e ish-presidentit Thaçi në zyrën ku ushtron funksionin e tij si drejtor i financave, pas lidhjes së koalicionit me Vetëvendosjen në komunën më të madhe në Anamoravë.

Rashiti në një përgjigje me shkrim per Gazetën Express konfirmoi se vazhdon ta mbajë në zyrë fotografinë e ish-presidentit Thaçi.

“Po ende e mbaj në zyrë fotografinë e ish-presidentit Thaçi dhe do të vazhdoj ta mbaj. Ndërsa të presidentes nuk e kam gjetur në zyrë të cilën e kam pranuar nga qeverisja e LDK-së”, tha ai.

I pyetur nëse do ta vendosë fotografinë e shefes aktuale të shtetit, Rashiti tha se i mjafton fotografia e ish-shefit të tij Hashim Thaçi.

“Të presidentes ka kohë ende për ta vendosur. Për momentin më mjafton fotografia e presidentit Hashim Thaçi”, tha Rashiti.

Ndërkaq, në fotografinë që ka postuar në llogarinë e tij në Facebook me ish-presidentin Thaçi të vendosur në prapavijë, Rashiti i është përgjigjur një komentuesi i cili i ka thënë atij se duhet ta vendosë fotografinë e presidentes Vjosa Osmani.

“Unë e vendos foton e presidentit të Kosovës, ai e përfaqëson luftën, lirinë dhe shtetin e Republikës së Kosovës. Kjo që është tani “presidente” e përfaqëson vetëm mllefin e atyre që kanë qenë kundër luftës çlirimtare dhe kundër liderëve historik të Kosovës”, i është përgjigjur ai

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, pasi fitoi zgjedhjet në garën e balotazhit ndaj Lutfi Hazirit, lidhi koalicion me PDK-në në këtë komunë.