“Koha të reflektojmë”, Mancini: Dhimbje e madhe

Roberto Mancini nuk dorëzohet. Humbja shtëpiake ndaj Maqedonisë së Veriut që solli mungesën në Botërorin Katar 2022, janë tepër të vështira për t’u pranuar.

Dështim total dhe dhimbje e madhe, por trajneri i kampionëve të Europës ka reaguar në rrjetet sociale, aty ku tenton të mbajë lart moralin e kombëtares së kaltër.

“Ndonjëherë futbolli mund të jetë një metaforë e pamëshirshme për jetën. Verën e kaluar mbërritëm në majë të Evropës, duke finalizuar një nga arritjet më të bukura të historisë së kombëtares. Pak orë më parë u zgjuam në një nga pikat më dramatike. Ne kemi kaluar nga gëzimi i jashtëzakonshëm në zhgënjim që nuk durohet.

Është vërtet e vështirë për t’u pranuar, por edhe pranimi i disfatave në jetë është pjesë e një rruge të shëndetshme të rritjes njerëzore dhe sportive.

Le të marrim pak kohë për të reflektuar dhe për t’u qartësuar e kthjelluar. E vetmja lëvizje e duhur tani është të çojmë kokën dhe të punojmë për të ardhmen.

Faleminderit publikut në Palermo për ngrohtësinë dhe faleminderit të gjithë fansave që na kanë transmetuar gjithmonë entuziazëm dhe dashuri”, shkruan Mancini.