Koloneli UÇK-së: Marshimi luftarak me Thaçin dhe lotët e fëmijëve që na dhanë forcë

Sa më shumë kalonin ditët në frontin e luftës në Kosovë, për kolonelin nga Shqipëria që tashmë ishte një nga drejtuesit në shtabin qendror, rritej përgjegjësia. Më 16 maj të vitit 1999, nga fronti i luftës, Goxhaj u nis një letër kolegëve të tij mësues në Tiranë ku u tregon për heroizmin e luftës, por dhe për krenarinë që ndjen nga kontributi i luftëtarëve nga Shqipëria në këtë luftë. Njëkohësisht, në ditarin e tij përfshihen dhe komunikatat e luftës si dhe përpjekjet që bëheshin për fuqizimin e radhëve me luftëtarë të rinj…

(Kolegëve të mi arsimtarë të shkollës 8 vjeçare në Kodër-Kamëz, Tiranë)

Kosovë, 16 Maj 1999

Të dashur kolegë!

Lutem, pranoni urimet e mia për mbylljen me sukses të këtij viti shkollor plot brenga shoqërore të popullit e të kombit tonë. Uroj që këtë vit mësimor ta mbyllni me përqindje sa më të lartë kaluese. Më besoni, shpesh jetoj me punën tuaj plot pasion e dobiprurëse për shoqërinë. Kjo ndjenjë më shtohet edhe më shumë në rastet kur më takon të kaloj nëpër rajone ku ka popullsi të grumbulluar në vende të kontrolluar nga UÇK-ja, për t’i mbrojtur nga ushtria më antinjerëzore që njeh historia, të cilën po e shoh për ditë me sytë e mi. Ajo është ushtria serbe.

Jam më se i bindur që ju i keni ndjekur lajmet mbi luftën që po bëhet në Kosovë dhe për këtë nuk kam as më të voglin dyshim, por, ato çka janë transmetuar deri tash nëpërmjet organeve të medies rreth masakrave serbe ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë, besomëni, janë si pika e ujit në oqean. Ju i kini parë kampet e krijuara në Shqipëri me popullsinë shqiptare të shpërngulur nga Kosova, e ndoshta edhe kini strehuar familje shqiptarësh prej këtej, por kurrë nuk mund ta merrni me mend gjendjen katastrofike të shqiptarëve të shpërngulur e të ngujuar në malet e Kosovës. Ata, duke u larguar me urgjencë, kanë mundur të marrin me vete vetëm fëmijët dhe kanë ikur me vrap, duke lënë prapa gjithçka nën mëshirën e flakëve të zjarrit të ndezur nga policia dhe ushtarët serbë, si hakmarrje ndaj humbjeve të pësuara në ndeshjet me bijtë luftëtarë të Kosovës. Si të tillë, këta të shpërngulur kanë nevojë për mbrojtje, për ushqim, për veshje, për fjetje, e në mënyrë të veçantë për ilaçe. Në këto kushte luftëtarët dhe komandantët e UÇK-së nuk kursejnë asgjë, as jetën e tyre.

Po u tregoj një rast. Në një marrshim që bënim së bashku disa nga ne të Shtabit të Përgjithshëm me Kryetarin e Qeverisë së Përkohshme, Hashim Thaçi, dhe me disa anëtarë të tjerë të qeverisë, na takoi që të kalonim mes për mes një vendgrumbullimi të madh të popullsisë së zhvendosur në një grykë mali. Diku larg zhvilloheshin luftime. Krismat e armëve ishin shumë të shpeshta dhe të afërta. Nga krismat, kuptohej që luftimet ishin të rrepta. Ishin orët e mesditës. Gratë, fëmijët dhe pleqtë, që përbënin kampin, porsa panë ne, një grup luftëtarësh, dolën nga mbulesat prej plasmasi të lidhura nëpër degët e shkurreve të pyllit dhe na përshëndetën.

Në një moment na duhej që të ndalonim, pasi shumë fëmijë kishin bllokuar rrugën dhe na nderonin si luftëtarë seriozë, duke u munduar sejcili që të na prekte me dorë. Shumica ishin fëmijë shkolle. M’u duk sikur isha para oborrit të shkollës, sikur ata ishin nxënësit e mi dhe tuaj. Ndalova dhe fillova t’i puth me mall, por lotët më tradhtuan. Hashimi e vuri re dhe urdhëroi të pushonim. Ai u shkëput nga ne dhe shkoi të bisedonte me një masë më të madhe njerëzish, burra e gra, të cilët u grumbulluan shumë shpejtë, duke u filmuar nga arkivisti ynë, Nuriu, ndërsa unë fillova t’i pyes fëmijët për emrat, për baballarët, për vëllezërit e motrat, për klasën që u ish ndërprerë etj. Shtysa e profesionit mbase. Nuk do ta besoni: të gjithë ata fëmijë i kishin baballarët dhe vëllezërit e rritur në radhët e UÇK-së dhe për këtë mburreshin, duke mos i lënë radhë njëri-tjetrit! Nxorra mallin e u çlodha njëkohësisht, edhe pse ishim pa gjumë dhe kishim shumë orë që udhëtonim. Njerëzit nuk na njohën se kush ishim, por edhe ne nuk u prezantuam.

Të dashur kolegë, gjatë atij takimi dallova diçka që nuk e pata vënë re më parë dhe që m’u duk shumë interesante: Fëmijët më kuptonin çdo fjalë që unë u flisja, pasi ma kthenin përgjigjen menjëherë, ashtu si e kanë fëmijët, të gjithë njëherësh. Ndërkohë që kjo nuk më ka ndodhur me më të rriturit, me të cilët shpesh detyrohem të përdor dialektin e tyre. A mund të ma shpjegoni se si mund të ndodhi një gjë e tillë? Mos vallë nga që fola me ta si mësuesi me nxënësin? Unë nuk mundem ta shpjegoj. Më pas fillova ta shoh me tendencë këtë dukuri dhe kështu më ka rezultuar. Por le të kthehemi tek rasti që po flas.

Më në fund u nisëm për rrugë, mirëpo luftimet zhvilloheshin në drejtim të kundërt nga ne do të vijonim marshimin dhe që duhej të shkonim pa tjetër. Fëmijët ngritën dorën për të na përshëndetur ushtarakisht sipas nderimit shqiptar dhe nuk po i ulnin duart. Vura re se ata sikur u ngurtësuan. E mbanin shikimin të përqendruar tek ne. Në moment mendova se e morën atë pamje nga që kujtuan prindërit dhe vëllezërit e tyre luftëtarë. Por, jo. Shpejt e zbërtheva enigmën. E kuptova.

Ata po i habiste drejtimi ynë i lëvizjes. Ne nuk po shkonim në drejtimin ku zhvilloheshin luftimet me armikun. Shkëmbeva vështrimin tim me të Kryeministrit. Edhe ai e kish kuptuar ngurtësimin e fëmijëve. Kolona jonë ndaloi lëvizjen, sepse nuk po lëvizte Kryeministri. Ai pas një hezitimi të vogël urdhëroi që kolona të ndryshonte drejtimin e marshimit. Fëmijët u ç’ngurtësuan menjëherë dhe filluan të ecnin para dhe përkrah nesh. Ata na shoqëruan deri në skajin fundor të kampit.

Atë ditë nuk shkuam në vendin ku na prisnin. Kryeministri, ministrat dhe disa nga Anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm u rreshtuan në transhe, krah për krah me luftëtarët dhe luftuan deri sa ushtria serbe hoqi dorë nga sulmi. Atë ditë na u plagos edhe Ministri i Pushtetit Lokal, Ramë Buja. Me urdhër të kujt ndryshoi drejtimi i marshimit tonë? Ai ishte urdhër i dhënë me shikim nga brezi i ardhshëm i Kosovës, fëmijët e saj.

Kur dëgjova në TVSH se Ministria e Arsimit e R. Shqipërisë bënte thirrje për mësimdhënie në shkollat verore për fëmijët shqiptarë të shpërngulur me dhunë nga Kosova, mendova sikur punonjësit e asaj Ministrie na kishin parë ne që përcilleshim nga fëmijët në luftë, që ata atje, tek ju, të vazhdojnë shkollën, sikundër këta këtu, të cilët mësojnë të luftojnë me ne.

Të nderuar kolegë, më falni që nuk u tregova para se të nisesha në Kosovë, përveç drejtor Aliut. Besoj se tashti nuk do të më mbani inat. Më falni se u zgjata dhe kam frikë se mos u mërzis pasi jini të lodhur me mbylljen e vitit mësimor, pasi e di se kini zhvilluar shumë detyra kontrolli dhe me çeljen e atij veror me nxënësit e ardhur nga Kosova.

Me shumë mall e dashuri

Shpëtim Golemi (Pseudonimi i Dilaver Goxhajt) d.v.

Të dashur shokë e kolegë, bashkangjitur po u nis edhe komunikatën e ditës së sotme të SHP të UÇK-së

USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS

SHTABI I PËRGJITHËSHËM

KOSOVË, më 16.05.1999