Kosova fiton thellë nga Burkina Faso

Trajneri i ri Alain Giresse ka arsye të ndihet i lumtur sonte me skuadrën e tij. Kosova e ka mposhtur bindshëm Burkina Fason.

Ndeshja ka përfunduar me rezultat 5-0.

Golat kanë nisur herët. Ka qenë minuta e katërt e ndeshjes kur Aliti ka realizuar një gol të bukur pas një asistimi nga Edon Zhegrova. Pastaj ka qenë minuta e 22-të kur Zhegrova ani se kaloi dy-tre lojtarë të Burkina Fasos dhe gjuajti në drejtim të portës topin e priti mbrojtja kundërshtare, por aty ishte Astrit Selmani, i cili me një goditje të fortë e ka dërguar topin në rrjetë, duke bërë rezultatin 2-0. Me këtë rezultat ka përfunduar edhe pjesa e parë.

Me të filluar pjesa e dytë nuk ka vonuar shumë dhe Kosova ka gjetur sërish golin. Ka qenë minuta e 52-të kur Mërgim Vojvoda ka realizuar për rezultatin 3-0. Në minutën e 67-të dhe për 4-0 ka realizuar Rashica.

Pesë minuta para se Rashica të shënonte Ujkani mbrojti një penallti nga Edmond Tapsoba.

Debutuesi Toni Domgjoni ka gjetur golin në minutën e 73-të dhe të pestin për Kosovën në këtë ndeshje.

Burkina Faso ishte gjysmëfinalist në kampionatin afrikan të mbajtur së fundmi, ndërsa edhe në Ranglistën e FIFA-s qëndron në pozitë më të mirë se sa Kosova.

Ndeshjen e ardhshme Kosova e zhvillon me Zvicrën.