Kuqezinjtë zgjasin qëndrimin në Barcelonë, kjo është arsyeja

Kombëtarja shqiptare u mposht dje nga Spanja me rezultat 2-1 në miqësore dhe sot duhej të kthehej drejt vendit tonë, por kuqezinjtë nuk do të udhëtojë menjëherë drejt Shqipërisë, pasi kanë zgjatur qëndrimin e tyre në tokën spanjolle, për të vazhduar atje përgatitjet për duelin ndaj Gjeorgjisë që luhet të martën.

Normalisht ekipet udhëtojnë në ditën pas ndeshjeve drejt destinacionit ku kanë përballjen e radhës.

Por stafi i kuqezinjve ka menduar që grumbullimi në lokalitetin pranë Barcelonës të vazhdojë edhe të dielën, me skuadrën që do të zhvillojë stërvitjen në tokën spanjolle.

Edhe të hënën raportohet se ekipi do të zhvillojë seancën stërvitore në Spanjë si dhe konferencë e trajnerit Edi Reja po atje, para se të udhëtojë drejt Tiranës për t’u sistemuar në kryeqytet dhe jo në Durrës si zakonisht.

Kështu, skuadra do të jetë gati për sfidën e të martës ndaj Gjeorgjisë në “Air Albania”, pa zhvilluar asnjë stërvitje në tokën shqiptare për këtë grumbullim.