Mancini: Qëllimi ynë është të fitojmë Kupën e Botës

Qendra sportive “Coverciano”, aty ku stërvitet Kombëtarja e Italisë është mbushur përsëri.

Italia u mblodh në funksion të play-off-it për të shkuar në Kupën e Botës në Katar dhe pengesa e parë është Maqedonia e Veriut.

Trajneri Roberto Mancini bëri zgjedhjet e tij për sa i përket lojtarëve të ftuar në momentin më delikat të aventurës së tij në krye të Italisë ku mungon Mario Balotelli dhe ai jep arsyetimin për vendimin e tij.

“Duhet të qëndrojmë të fokusuar në atë që mund të bëjmë dhe u përpoqa të sjell ata që mendoja se mund të ishin më të dobishëm për mua.

Balotelli? Nuk kemi vend për të provuar gjëra të reja. Unë tashmë kam shumë të tillë dhe do të bëjmë vlerësimet tona se kush nuk është shumë mirë. Kujdes nga Maqedonia e Veriut, nuk do të jetë një përfundim i parakohshëm”, ishte thirrja e Mancinit.

Ashtu si në Europian, Mancini do të fokusohet më shumë te loja dhe te grupi se sa te individi:

“Në këtë mënyrë kemi marrë rezultate dhe besoj se në lojë asgjë nuk vjen rastësisht. Djemtë janë mirë dhe ne jemi gati. Kemi sulmues të ndryshëm për të provuar në bazë të ndeshjes. Qëllimi ynë është të fitojmë Kupën e Botës dhe për ta bërë këtë duhet t’i fitojmë këto dy ndeshje, të shkojmë atje. Kemi pak kohë për t’u përgatitur për ndeshjen kundër Maqedonisë së Veriut , por nuk jam i shqetësuar”, tha Mancini.