Mehaj inspekton stërvitjen fushore “Phoenix Alfa”

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj sot inspektoi aktivitetet e planifikuara gjatë stërvitjes fushore “Phoenix Alfa”, të realizuar nga Regjimenti i Dytë i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së në Poligonin Stërvitor në Babaj Bokës.

Me këtë rast, përveç vizitës në vendkomandë, ministri Mehaj i shoqëruar nga zëvendëskomandanti i Forcave Tokësore, kolonel Hysen Dreshaj, vizitoi edhe pjesëtarët gjatë demonstrimit praktik të stërvitjes.

“Për zhvillimin, objektivat e synuar të stërvitjes, si dhe kapacitetet njerëzore e teknike të angazhuara, ministrin Mehaj e njoftoi komandanti i Regjimentit, nënkolonel Valdet Berisha”, thuhet në komunikatën nga Ministria e Mbrojtjes.

Po ashtu thuhet se nga ana e tij, ministri Mehaj, në adresimin e tij para ushtarakëve të angazhuar, përgëzoi të gjithë duke vlerësuar angazhimin dhe konfirmimin e nivelit të lartë të disiplinës dhe profesionalizmit për arritjen e aftësive taktike operuese për realizimin e misionit dhe detyrave specifike të forcave tokësore.

“Me këtë rast, ministri Mehaj, ndër të tjera theksoi se ‘Phoenix Alfa’ është dëshmia e radhës dhe konfirmim i fuqishëm se aftësitë dhe kapacitetet operacionale ushtarake për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit janë në shkallën e zhvillimit dhe gatishmërisë në përputhje të plotë me qëllimin tonë strategjik”, thuhet në komunikatë.

Stërvitja fushore “Phoenix Alfa” është në kuadër të planit vjetor të stërvitjeve për ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve operacionale për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit