Mehaj: Vendi ynë është i sigurt falë ushtrisë sonë dhe aleatëve tanë

Ushtria e Kosovës po vazhdon të furnizohet me armatim dhe pajisje moderne për t’i ofruar vendit siguri. Një gjë të tillë e ka pohuar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Mehaj një shkrim në kujtim të eksodit të një milionë shqiptarëve para 23 vjetësh, të cilët me forcë u dëbuan nga forcat serbe, ka thënë se Republika e Kosovës sot është më e fortë politikisht e ushtarakisht.

“Populli ynë përjetoi përndjekje e dëbime vetëm pse kërkonte të drejtat e tij dhe mbi të gjitha vetëm pse ishte shqiptar. Spastrimi etnik, ishte qëllimi kryesor i shtetit kriminal serb. Gjatë luftës së vitit 1998-1999 i dolëm në ballë armikut me ato mundësi e mjete që kishim, mbrojtëm popullin aq sa mundëm dhe në fund fituam lirinë e vendit tonë, falë edhe ndihmës së jashtëzakonshme të SHBA-ve”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ai tutje ka thënë se ushtria e Kosovës është furnizuar e vazhdon të furnizohet me armatim dhe pajisje moderne.

“Vendi ynë është i sigurt falë ushtrisë sonë dhe aleatëve tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Investimi në ushtri është obligim i yni të cilin do ta përmbushim me çdo kusht. Forcimi dhe pajisja e ushtrisë sonë, është garanca kryesore e sigurisë dhe stabilitetit në vend e në rajon. Ne kurrë nuk do të lejojmë më që populli ynë të përjetojë krimet, dëbimet, masakrat, dhunën, terrorin e gjenocidin që e kishte përjetuar gjatë luftës 1998-1999”, ka nënvizuar Mehaj.

23 vjet më parë mbi një milionë shqiptarë u dëbuan me dhunë nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe. Të dëbuarit u vendosën kryesisht në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi.