Mendojnë ekspertët: Largimi i serbëve nga policia dhe institucionet do të sillte pasoja për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar që të mos ketë nguti me largimin e zyrtarëve policorë serb nga Policia e Kosovës.
Paralajmërimi i serbëve të Kosovës për të braktisur institucionet dhe policinë vlerësohet i dëmshëm në shumë aspekte për vendin. Megjithatë, konsiderohet se Policia ka kapacitet të menaxhojë një situatë të tillë eventuale.

Por edhe nëse realizohet një skenarë i tillë, zinxhiri komandues i Policisë së Kosovës për komunat në veri nuk mund të bllokohet.

Kështu mendon ish-drejtori i policisë Rashit Qalaj, por megjithatë ai thotw se një veprim i tillë do t’i sillte vështirësi Policisë së Kosovës.

“Ky paralajmërim është mjaft i dëmshëm për Policinë e Kosovës, por e di që policia është e përgatitur për të mbushur edhe atë boshllëk, edhe pse do të jetë një sfidë për nga aspekti i sigurisë”, Rashit Qalaj.

Tërheqja e të gjithë zyrtarëve policor të nacionalitetit serb do të ndodhte për herë të parë në këtë masë.

Por, serbët edhe në të kaluarën janë larguar nga institucionet.

Lista serbe po ashtu në Kosovë menaxhon edhe 10 komuna të Kosovës.

Njohësi i çështjeve të pushtetit lokal, Qëndrim Arifi, thotë se largimi i sinkronizuar i të gjithë kryetarëve të Listës Serbe do të shkaktonte pasoja të shumëfishta.

“Pasojat do t’i bartnin qytetarët pasi ata nuk do të kenë një prijës që është drejtues i politikave lokale”, tha ai.

Dëmi tjetër sipas Arifit do t’i shkaktohej buxhetit të shtetit.

300 mijë euro kishte kushtuar organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komuna të veriut, pasi ata ishin tërhequr në mënyrë demonstrative për vendosjen e taksës.

Pasi Kosova ndaloi zgjedhjet serbe, Serbia ka caktuar disa komuna ku serbët nga Kosova do të mund të votojnë në zgjedhje parlamentare.