“Nuk e kam ditur që Prishtina është lëmsh”, a do ta përjetojë Rama një kryeqytet pa kaos?

Përparim Rama tha se ka vetëbesim të plotë se do ta përfundojë mandatin e parë duke bërë ndryshime në Prishtinë. Ai në emisionin “Pressing” në T7 deklaroi se raportet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka mirë, teksa përmendi disa nga pakënaqësitë që i ka në Prishtinë. Rama që u kritikua për mospunë, tha se nuk po merret me fjalë por vetëm me punë të mëdha

Gazeta Express

Lexo Edhe:
Prurje e bujshme e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet lokale të tetorit. Por, më të bujshme u bënë premtimet e tij dhe triumfi ndaj Arben Vitisë së VV-së, në kohën kur ai ishte në kulmin e karrierës politike.

Ishte arkitekti Përparim Rama, ai i cili me premtime të mëdha për transformim të kryeqytetit nga kaosi urban, ai që mori besimin e mijëra prishtinasve.

Por, sa hyri në detyrë ai nuk u shfaq aq atraktiv dhe aq premtues si në fushatën zgjedhore.

Një premtim madhor e kishte edhe lirimin e trotuareve. As për këtë gjë ende Rama nuk ka bërë ndonjë lëvizje as pas 100 ditësh punë.

Mbrëmë në emisionin “Pressing” në T7, ai tha se veçse kanë filluar me lirimin e hapësirave publike. Ndër to ai përmendi lirimin e hapësirave në shesh nga shitësit ambulantë.

“I kemi liruar një numër të madh të hapësirave publike dhe jemi në vazhdimësi të lirimit të hapësirave publike. Sheshin për shembull, i cili ka qenë tërësisht i okupuar prej shitësve ambulantë, veturave të fëmijëve. Kemi marr masa të menjëhershme dhe e kemi liruar sheshin. Janë kthyer. Prapë kemi marr masa dhe tani e monitorojmë vazhdimisht”, tha ai, duke shtuar se në shesh tani operojnë vetëm personat që kanë leje.

Rama foli edhe për tri punët që i ka bërë përgjatë tre mujorit të parë si kryetar i Prishtinës.

“E kemi kryer projektin për rrugën ‘A’ dhe në dy javët e ardhshme do ta qesim në tender për punim. Do të dalë në tender brenda dy javësh në mënyrë që brenda tre muajsh të fillojmë implementimin e rrugës ‘A’. Një punë tjetër për të cilën jam mjaft krenar është unaza e mesme. Është një projekt madhor dhe me një rëndësi të madhe për kryeqytetin. Ka qenë ndoshta në sirtar që dy vite e gjysmë dhe kemi arritë ta shtyjmë përpara. Këtu po flasim prej Veternikut, dhe unaza e mesme e krijon unazën përreth Prishtinës. Nuk do të shkojë ka lagja ‘Marigona’, por do të shkojë nga rruga për Gjilan që do të zgjerohet në 45 metra, pastaj në Zllatar, Gërmi dhe shkon deri lartë në Kodrën e Trimave, vazhdon kah Bërnica e Poshtme dhe kemi vendos që ta lidhim me autostradë. Do të kursejmë para”, tha ai.

E për këtë projekt Rama tha se do të ndihmohen edhe me fonde nga Banka Botërore. Sipas tij, projekti do të kushtojë 250 mijë euro.

“Vitin e ardhshëm do të dal në tender fillimi i projektit për unazën e mesme”, tha ai.

I pari i Prishtinës, premtoi zgjidhje edhe për problemin e qeneve endacakë.

Ai foli edhe për nivelin e pastërtisë në kryeqytet.

“Është e vërtet dhe nuk jam i kënaqur aspak me pastërtinë e Prishtinës dhe një analizë e tërthorët e gjitha zonave të kryeqytetit jemi duke e bërë, se bashku edhe me GIZ-in për zgjidhjen e problemit të mbeturinave në kryeqytet”, tha ai.

Rama pohoi se nuk e ka ditur që është lëmsh Prishtina deri në këtë pikë. Por tash thotë se e ka kuptuar.

“Normal që jo. E kam ditë që është lëmshe, por për me e kuptu lëmshin tash duhet me hi në të dhe me e kuptu faktikisht edhe strukturën e lëmshit. Po e kuptoj dhe e kam kuptuar shumë mirë. Është një lëmsh shumë i madh”, tha ai.

Ai premtoi edhe realizimin e projektit për parkun në afërsi të Pallatit të Rinisë.

“Planprogrami që ka fituar është i imi. Pra ai është premtimi i jonë ndaj qytetarëve të Prishtinës. Me atë jemi të fokusuar që ta transformojmë Prishtinën në bazë të premtimeve që u kemi bërë qytetarëve të Prishtinës”, tha ai.

E Rama tha se e ka vetëbesimin e plotë se do ta përfundojë të plotë mandatin duke bërë ndryshime.

“E kam vetëbesimin e plotë se kemi me bë ndryshimin. Po them edhe mundemi me lënë gjurmë të tjera. Vetëm manuali për materialet që do të përdoren në hapësirat publike, vetëm krijimi i atij manuali ku ne nuk do të lejojmë që të përdoren pllaka të banjove të brendshme në rrugët tona publike”, tha ai.

Përparim Rama është pyetur edhe për raportet e tij me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Rama fitoi komunën e Prishtinës duke garuar me LDK-në, por së fundi është përfolur se raportet mes tij dhe Abdixhikut nuk janë më të mirat.

Kështu është përgjigjur Rama për këto thashetheme.

“Mirë shumë. Shiko ne i kemi raportet e mira, nuk kemi kurrfarë problemi. Nuk kemi pasur asnjë problem. Unë kam ashtu i qartë, i pastër në aspektin që unë do të merrem me kryeqytetin dhe atë do ta bëjë. Kam thënë që me politikë e LDK merret Lumiri, e unë me kryeqytet. Nuk kemi pasur asnjë problem”, ka thënë ai.

Tutje ai ka folur edhe për spekulimet se ishte përfolur që të garonte si anëtar i VV-së. Ai thotë se është kryetar i të gjithëve.

“Unë kam thënë se jam kryetar i të gjithëve. Kemi një koalicion. I kryeqyteti të Kosovës, edhe i shoh njerëzit në aspektin e qasjes së tyre profesionale në ndihmën për transformimin e kryeqytetit. Kemi njerëz profesional e punëtorë të mëdhenj që janë duke bërë çmos për transformimin e qyteti”, përfundoi ai ne emisionin Pressing në T7.

“Nuk i kam parë sepse nuk po kom kohë me hy dhe me i shiku se kemi punë të mëdha, jemi duke u marr me punë dhe nuk po merrem me fjalë të personave”, tha Rama kur u pyet se çfarë mendon për krahasimet që po i bëhen me ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kjo pasi Rama është krahasuar vazhdimisht me Ahmetin. Për këtë ai tha se i është dashur kohë që të ambientohet me punën e re dhe ristrukturimin e punës në komunë.

E për të gjitha premtimet që i dha në fushatë, Rama tha se do të mundohet që brenda mandatit t’i realizojë të gjitha, teksa në një punë ai tha se nuk hyn pa i kryer të gjitha planet dhe analizat. /Gazeta Express