Përplasja me Kurtin për veteranët, Haradinaj shkon në zyrat e OVL UÇK’së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka takuar sot në Selinë e OVL të UÇK-së, krerët e Shoqatave të dala nga Lufta pas kërcënimit publik që i bëri dje kryeministrit Kurti lidhur me deklaratat për numrin e veteranëve, raporton Gazeta Express.

Haradinaj ka shpërndarë foton e takimit në profilin e tij në Facebook me veteranët e UÇK-së.

Debati mbi numrin e vërtetë të veteranëve të luftës ka përplasur Haradinajn me Albin Kurtin.

Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se nuk janë më shumë se 20 mijë veteranë të luftës në Kosovë. Shefi i Qeverisë nuk dëshiron t’i përfshijë ata në ligjin e pagave dhe për këtë të mërkurën e ka marrë një kërcënim nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

“Qysh veteranët me marrë pagë minimale? Ata meritojnë shumë më shumë se pagën minimale. Por, duhet t’i bëjmë evidencat e sakta. Nuk janë 60 mijë veteranë. Nëse dikush dëshiron ta gënjejë veten, nuk mund të më gënjejë mua. Janë maksimalisht 20 mijë”, ka thënë Kurti në KTV para një jave.

Ramush Haradinaj e kërcënoi Albin Kurti lidhur me këto deklarata. Kryetari i AAK-së i konsideron tallje me veteranët fjalët e kryeministrit.

“Kurti s’po do me e zbatu kriterin e pagës minimale edhe për kategoritë e luftës. Unë po them qetu para tij, i kam duru krejt shpifjet e dallaveret e tij e të tyre. Ka ndodh një proces gjyqësor; mos luaj më shumë me këto kategori, mos u tall më me to”, tha Haradinaj të mërkurën në RTV Dukagjini.

Ky, deklaroi Haradinaj, është “kërcënim publik e serioz”. Ai tha se “nuk durojmë pa kufi”.

“Ne i dalim këtij në rrugë dhe i tregojmë a mund të hyjë ky në zyre të vet nëse tallet me këto kategori”, tha ai.
https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/posts/524437719047581