Prishtina sërish e ka mposhtur Llapin. Prishtinasit sot munden Llapin, me rezultat 2-1, në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës.
Kryeqytetasit të cilët edhe në fundjavën e kaluar, triumfuan në duel me llapjanët, edhe sot arritën një fitore tejet të rëndësishme në garën për të prekur finalen e madhe të Kupës së Kosovës.
Gledi Mici (36’) dhe Endrit Krasniqi (84’), shënuan nga një gol për fitoren e Prishtinës, derisa golin e vetëm për skuadrën e Tahir Batatinës e realizoi Arbnor Ramadani (62’) nga penalltia.
Drita kryen punën
Ndërkohë, fitore të madhe ka arritur edhe Drita e cila mundi Ramiz Sadikun, me rezultat 3-0, duke bërë hapin e madh në rrugën për finalen e kësaj garë prestigjioze në vendin tonë.
Albin Krasniqi, Hamdi Namani dhe Muharrem Jashari shënuan për fitoren e gjilanasve.
Ndeshjet e kthimit luhen pas një javë. /F.BYTYQI/