Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër tërheqjes së parave nga Trusti Pensional i Kosovës. Nëpërmjet një deklarate për mediat, ekzekutivi arsyetohet se një veprim i tillë, s’do të ndihmonte kategoritë në nevojë për shkak të përqindjes së ulët të fondit pensional.
“Qeveria ka dhënë mendimin për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, që nuk e përkrahë këtë nismë legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
“Tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vet përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët. Me kursimin e pleqërisë nuk duhet abuzuar dhe veprimin e tillë, duhet konsideruar si të mangët”, thuhet në njoftim.
Qytetarët u tha se do të ndihmohen në forma të tjera.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është afër qytetarëve, për të ndihmuar përmes rishpërndarjes, rritjes së punësimit, rritjes së mbështetjes në skemat sociale, për fëmijët, gratë dhe të rinjtë, si dhe për fermerët e ndërmarrësinë e vogël e të mesme”.
Projektligji i propozuar nga PDK’ja, po të kalonte qytetarëve do t’iu mundësohej tërheqja deri në 30 për qind e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale.
Ideja edhe për një tërheqje të mjeteve nga Trusti solli përplasje ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës.