Shala: Do të insistojmë për mundësinë e tërheqjes së mjeteve nga Trusti për qytetarët

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës Ferat Shala ka komentuar edhe mundësinë e tërheqjes së mjeteve nga Trusti Pensional për qytetarët.

Ai tha se nuk duhej të mohohej qytetarëve tërheqja e mjeteve nga Trusti.

“Çështja e Trustit është për ata që kanë deponuar andaj nuk do të duhej të mohohej atyre që kanë nevojë të tërheqin një pjesë e tyre, ne do të insistojmë që shumë shpejt Ligji i Pagave dhe mundësia që qytetarët të tërheqin mjete të tyre në Trustin të ia krijojmë atë mundësi”, u shpreh Shala.

Ai, po ashtu tha se ndarja e mjeteve prej mbi 100 milionë euro nga “Qeveria Kurti”, për rreth 800 mijë qytetarë është bërë pa asnjë kriter dhe barazi.

Sipas tij, kjo nuk e zgjidh problemin pasi që qytetarët e vendit po përballen me situata të krizave të mëdha.

“Sot Qeveria Kurti me një paket sociale të cilën praktikisht e meritojnë qytetarët e Kosovës por kjo nuk e zgjidh problemin, kjo paket është sipas Qeverisë për mos menaxhimin e situatës me një krizë të madhe të energjisë mungesë e vizionit zhvillimor dhe investim Qeveria po shpërndan mjete pa asnjë kriter dhe duke i barazuar edhe ata që kanë nevojë edhe ata që nuk kanë nevojë duke i barazuar si ata që kanë pagat maksimale deri në 5000 euro sikur ata që kanë pagat minimale ndër më të voglën në rajon edhe në politikat sociale”, ka thënë Shala për FrontOnline.

Deputeti Shala, deklaron se këto mjete të ndara nga Qeveria vetëm për një muaj nuk janë asgjë.

“Kjo Qeveri nuk është e mirë dhe është jashtëzakonisht keq duke i menaxhuar këto fonde, me këtë paket Qeveria Kurti po dëshiron me ble paqen pranverore ku kemi shumë kërkesa sindikale ku kemi kërkesa të mëdha të punëtoreve dhe kjo pako është e përkohshme asgjë nuk është vetëm për një muaj, do të duhej të vinte Ligji i Pagave dhe veprimet tjera të investimeve zhvillimore”, potencoi Shala