Turqi, përfundojnë bisedimet ruso-ukrainase të paqes

Dita e parë e bisedimeve mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës në pallatin ”Dolmabahçe” të Stambollit sapo përfunduan, bëri të ditur zyra e shtypit e ambasadës së Ukrainës në Ankara.

Nuk është ende e qartë nëse negociatat do të vazhdojnë nesër, ndërsa pritet një konferencë për shtyp nga një anëtar i delegacionit të Kievit.

”Këto negociata janë të vështira për paqen në vendin tonë”, deklaroi Mikhaylo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke folur për shtypin gjatë një pushimi të bisedimeve.

”Garancitë për sigurinë pa kushte për Ukrainën, armëpushim, vendime efektive për korridoret e autokolonave humanitare, respektimi i palëve për rregullat e luftës janë objektivat e Kievit në këto bisedime”, shtoi ai.

Në bisedime mori pjesë edhe miliarderi rus, Roman Abramovich, kjo me miratimin e të dyja palëve, edhe pse ai nuk është anëtar zyrtar i delegacionit rus./ATSH