Vajza 20 muajshe e prekur nga kanceri në shtyllën kurrizore! Rrëfim nga zemra i një nëne e babai

Xhenisa është veçse 21 vjeçe dhe 1 vit e gjysëm më parë solli në jetë vajzën, Katalean, dritën e syve të saj. Nuk kishte lumturi më të madhe për këtë nënë të re, që të shihte vajzën, hapat e saj të parë, buzëqeshjen e saj.

Por shumë shpejt, bota iu kthye përmbys Xhenisës dhe të shoqit, Armandos. Lea u sëmurë dhe pas diagnostifikimit, rezultoi se ishte prekur nga një sëmundje e rëndë në shtyllën kurrizore. Është tronditëse të shohësh lotët e këtyre dy prindërve të rinj, teksa rrëfejnë për “Shqiptarët për Shqiptarët” momentin kur mësuan lajmin e rëndë.

“Quhem Xhenisa Kapo, vij nga Patosi. Jetoj me vajzën e tim shoq. Vajzën e kam 20 muajshe dhe për një kohë shumë të shkurtër, i është shfaqur një sëmundje shumë e rëndë, një tumor në shtyllën kurrizore. Ajo nuk i lëviz dot këmbët.”-rrëfeu Xhenisa.

“Kur e ke vajzën shumë mirë e për një moment të erret bota, kur e mëson se ajo nuk mund të eci e që rrezikon jetën.”-tregoi Armando.

“Unë thjesht e humba kontrollin, nuk e di as vetë se çfarë ka ndodhur pasi mësuam lajmin. Asnjëherë nuk e kisha menduar këtë… (qan)”-rrëfen mes lotëve nëna.

Të dy burrë e grua, ndjenjë një zbrazëti në zemër, kur kujtojnë ditët e lumtura me vajzën, ndërsa tanimë janë mbyllur në spital, me shpresat që i shuhen dita-ditës.

“Kur ajo më lëvizte nëpër shtëpi, kur vinte me vrap tek unë, kur luanim, kur i dilte burrit përpara. Është shumë e vështirë (qan)”-thotë Xhenisa.

“Nuk na japin shpresa, na thonë është e vdekur këtu. Një mundësi, është që ajo të kurohet jashtë shtetit, të shpëtojë… të ngrihet përsëri siç ishte. Po të mos jetë ajo, nuk ka jetë as për mua. Dua që ajo të jetë pranë nesh, nuk dua të humbas vajzën.”-tregon nëna.

Xhenisa e Armando iu drejtuan për ndihmë emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”. Një dhe një e vetme është lutja e tyre.

“Në Shqipëri bëhet fjalë për jetë a vdekje. Jashtë shtetit mund të kurohet, por nuk i kemi mundësitë. Se di as vetë se çfarë mund të ndodhë, nuk dua ta mendoj. Nuk dua që atë fëmijë që ma dha Zoti… unë dua vajzën, të shpëtoj jetën e saj, i lutem për ndihmë shqiptarëve, nuk dua që ime bijë të vdesi.”-rrëfeu Armando.