Vajza 6 muajshe po i vdes, babait i mbesin veçse lotët e lutjet: U përgjërohem për ndihmë shqiptarëve

A ka njeri që quhet prind në këtë botë… e nuk është i gatshëm ta japë jetën për fëmijën e tij?

Ky burrë, baba i tre vajzave, është gati pikërisht për të bërë atë që do të bënte çdo prind… të jepte jetën për vajzën e tij më të vogël, Lejlën.

“Quhem Sadik Murati, Jemi nga fshati Rakaj, komuna e Ferizajt. Vajzën e tretë, Lejlën, e kemi në Stamboll Turqi, për shërim… është në gjendje të rëndë, veshkat nuk i funksionojnë fare.

Nuk kemi asnjë të ardhur. Unë jam vetë sëmurë, me mjekim. Jam në gjendje edhe veten ta sakrifikoj, t’i jap të dyja veshkat e ajo të jetojë… nuk është problem se unë vdes, vetëm ajo të jetojë.”-tregon babai i vogëlushes.

Lejla është ende një foshnje, 6 muaj i ka në këtë botë. Veshkat e saj nuk punojnë dhe momentalisht ajo ndodhet në terapi intensive. Ashtu si çdo prind, familja Murati ka bërë gjithçka për vajzën. Sadiku kujton momentin kur u përball me lajmin e rëndë, një lajm që asnjë prind nuk duhet ta dëgjojë…

“Gjatë qëndrimit në spital (në Kosovë), na thanë urgjent ta dërgoni jashtë shtetit, se këtu nuk mundet me mbijetu. U binda në atë moment… edhe rrugën e humba, korridoret në spital, nuk e dija më ku isha. Si prind, mendova se gjithçka mbaroi aty… (qan)

Nuk mund ta shikoj fare djepin e time bije, çka ajo ka këtu përreth. Vajzave u kam thënë ju lutem i largoni, të mos i shoh (qan)”-rrëfen Sadiku.

Por ato aparatura mjekësore që po e mbajnë në këtë botë Lejlën, s’mund të jenë zgjidhja e përhershme për një ëngjëll që ende nuk e ka thënë fjalën e parë… Lejla ka nevojë për transplant e familja nuk mundet ta përballojë faturën financiare.

Me lot në sy, sepse veç ato i kanë mbetur, babai i Lejlës i përgjërohet për ndihmë shqiptarëve, përmes emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”. Ai ka vetëm një thirrje për shqiptarët, të mos e lejojnë vdekjen e një vajze 6 muajshe…

“Ju lutem, kush ka sadopak mundësi të ndihmojë, ta shpëtojmë një jetë, një jetë të një ëngjëlli siç është Lejla ime. I lutem shqiptarëve, të më ndihmojnë, të mos më vdesë vajza për shkak të parave. Të dytën (shërimin) do t’ja lëmë Allahut, atij i qofshim falë”-përfundon Sadiku.