Vetë i paralizuar prej kancerit, klithmat e një babai për të birin e sëmurë: Ma shpëtoni djalin ju lutëm

Hasani u përball me një sprovë të madhe, kancerin në tru! Si pasojë e kësaj sëmundje të errët, trupi i mbeti pa lëvizjen e lirshme të gjymtyrëve, goja e tij pa mundësinë për të folur lirisht, ndërsa shpresat për të ardhmen të errësuara.

Se çfarë goditje mund të ketë provuar ky burrë, baba i dy fëmijëve të mitur, mund ta dijë veçse shpirti i tij. Për t’u kujdesur për të, ka qenë përherë krah e shoqja, bashkëudhëtarja e jetës, nëna e fëmijëve të tij.

“Pasi im shoq hyri në operim, pas tre javësh ra në depresion. Tumori që ka patur në kokë, i preku shumë pjesë të trupit. Unë e laj Hasanin, unë i jap me ngrënë, unë e pastroj, e ndërroj, e nxjerr jashtë… ai dy tre hapa bën e më pas rrëzohet, më tepër nuk bën dot.”-tregon e shoqja e Hasanit.

Hasani mendoi se sëmundja që provoi mbi veten do të ishte sprova më e madhe e jetës, por qe i gabuar… tre vite më parë, në derën e familjes Saka erdhi lajmi i kobshëm. Djali i Hasanit, veçse 12 vjeç sot, ishte i prekur njëlloj, nga kanceri në tru.

Sot në Shqipëri mundësitë për shërimin e Kristit janë si një pikë uji në det. I ndërgjegjshëm për këtë fakt, Hasani mblodhi forcat për të dalë mbi vështirësinë e tij në të folur… me trupin që i dridhej, ai arriti të lëshojë këtë kujë, që të mbetet në memorje:

“Kam frikë se vdes Kristi! Nuk kam mundësi… nuk e çoj dot jashtë. Nuk kërkoj gjë për vete, vetëm për djalin! Ju lutem, Elvis Naçi, ndihmoni Kristin“