Vrasja e rëndë/ Varrimet bëhen të ndara – Faton Hoxha shkon në funeralin e babait dhe jo të nuses së tij

Fatjon Hoxha sot ka futur në dhe babanë e tij Xhevahirin dhe nusen Merushe Hazizi, një ditë pasi kjo e fundit dyshohet se u vra me thikë nga vjehrri i saj, i cili më pas dyshohet se kreu vetëvrasje duke e varur veten në pemën e shtëpisë në fshatit Vidhisht të Roskovecit në Fier.

Abc news raporton se ceremonitë mortore janë bërë të ndara dhe djali ka zgjedhur që të shkojë në varrimin e babait të tij, i cili nuk e pranonte lidhjen e tij me Merushen dhe u betua se do ta vrasë atë, ashtu siç edhe dyshohet se bëri.

Xhevairi, është shoqëruar nga një numër i vogël personash për në banesën e fundit, ndërsa janë vërejtur forca të shumta policie në zonë për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme nga familjarët e viktimës.

Merushes i është dhënë lamtumira nga familjarët dhe të afërmit.

Ndryshe, sherri në familje raportohet se kishte nisur tre vite më parë, ku djali i Xhevairit kishte nisur të bashkëjetonte me Merushen,e cila kishte tre fëmijë nga një martesë e mëparshme, e të cilën ai nuk e donte për nuse të djalit, transmeton Gazeta Sinjali.

Abc news raporton se djali i Xhevairit ishte ndarë nga bashkëshortja e tij e parë, me të cilën kishte një vajzë, dhe kishte nisur bashkëjetesën me Merushen.

Por lidhja nuk ishte miratuar as atëherë nga Xhevair Hoxha, duke bërë që çifti të dilte në një shtëpi me qira në Fier.

Ndërkohë që ndodhte kjo, 61-vjeçari ishte betuar se do ta vriste 30-vjeçaren, e cila sipas tij i shkatërroi familjen e të birit.

Prej një jave çifti ishte kthyer për të jetuar në Vidhisht të Roskovecit edhe pse e dinin që 61-vjeçari ishte kundër bashkëjetesës së tyre dhe i kishte kërcënuar më herët.

Xhevairi dyshohet se e vrau me thikë në ambientet e shtëpisë Merushen, ndërsa më pas dyshohet se vari veten në një pemë pas banesës.